Andres Iniesta, ka shpjeguar se çfarë do të thotë për të një lojtar total, duke “ndërtuar” një të tillë në bazë të karakteristikave të ndryshme të futbollistëve me të cilët luan, apo që ka si kundërshtarë.
“Profili i një futbollisti total formohet nga aftësia e lojës në ajër e Radamel Falkao, personaliteti i Karles Pujol, gjuajtja me të djathtën e Ksavi Hernandez, gjuajtja me të majtën dhe aftësitë e Lionel Mesi, saktësia taktike e Serxhi Buskets si dhe nuhatja prej golashënuesi të Kristiano Ronaldos”, ishte identikiti i ndërtuar nga mesfushori që fitoi çmimin si “Lojtari i Vitit në Evropë” si dhe “Lojtari më i vlefshëm” në Euro 2012.
Futbollisti ka folur edhe për bashkëjetesën me një yll si Lionel Mesi, si dhe përmirësimin e dukshëm të këtij të fundit në një nga gjërat e pakta që i mungonin, ekzekutimin e goditjeve të dënimit.
“Bashkëjetoj me të prej shumë kohësh dhe e vërteta është se nuk kam parë asnjëherë një lojtar të njëjtë më të. Çdo ditë, çdo ndeshje, çdo vit, ai arrin të tejkalojë veten. Ai është shumë i ri, ka ende shumë përpara. Në këtë aspekt, një person ndjehet i privilegjuar të jetë në të njëjtin ekip dhe ta ndihmojë për të arritur sukseset së bashku. Goditjet e dënimit? Gjithmonë ka dashur të mësojë goditjet e dënimit. Gjuajtjet poshtë barrierës mbrojtëse janë natyrale, pasi dihet që futbollistët kërcejnë lart”, tha ai, duke iu referuar golit të fundit të shënuar nga argjentinasi me kombëtaren e tij. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 13:20