Ishujt e Kepit të Gjelbër do të konkurrojnë për herë të parë në historinë e tyre në fazën finale të Kupës së Afrikës, pasi arritën të eliminonin në mënyrë të pabesueshme Kamerunin.
Kjo skuadër është surpriza më e madhe e këtij e edicioni, pasi arkipelagu me 500 mijë banorë regjistroi suksesin më të madh futbollistik duke kaluar një prej ekipeve më me histori të kontinentit, të cilit nuk i mjaftoi as kthimi në përfaqësuese i Samuel Eto’o. Ishullorët kishin fituar 2-0 ndeshjen e parë në fushën e tyre, ndërsa në ndeshjen e kthimit kanë rezistuar duke u mundur vetëm 2-1, ndërsa goli i fitores për vendasit u shënua në minutën shtesë nga 16 vjeçari Fabris Olinga.
Ndërkohë, Etiopia mundi Sudanin 2-0, duke siguruar pjesëmarrjen në këtë turne për herë të parë pas 30 vitesh mungesë në fazën finale.
Ekipet e kualifikuara për aktivitetin që zhvillohet në janarin e vitit 2013 janë Afrika e Jugut, Zambia, Kongo, Etiopia, Nigeria, Niger, Gana, Mali, Togo, Burkina Faso, Angola, Kepi i Gjelbër, Algjeria, Maroku dhe Tunizia. Emri i 16-të pritet të jetë Bregu i Fildishtë që ka mundur Senegalin 4-2 në ndeshjen e parë, ndërsa po fitonte 2-0 në takimin e kthimit që u ndërpre në minutën e 76-të për shkak të trazirave në stadium. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 10:50