“Titulli kampion? Unë duhet t’i besoj një arritje të tillë, ashtu si edhe lojtarët”. Këto janë fjalët e presidentit të Inter, Masimo Morati, në një intervistë të shkurtër të dhënë për rrjetin televiziv “Rai”.
Numri 1 i zikaltërve ka folur edhe për trajnerët, sidomos për spekulimet e ditëve të fundit rreth një transferimi të mundshëm të Pep Guardiolës te Milani.
“Guardiola mund të shkojë te Milani? Unë e kam një trajner të mirë që tani… Krahasimi mes Stramaçioni dhe Murinjo ka ardhur për shkak të dedikimit ndaj punës, që është vendimtare për çdo profesionist por në këto raste, ndoshta të ndikuar nga popullariteti, është më e vështirë që të ekzistojë. Stramaçioni këtë karakteristikë e ka natyrale, pastaj nëse arrin edhe rezultatet e Murinjos…”.
Presidenti i zikaltërve ka folur pastaj edhe për ata që cilësohen si “flamuj” në futboll, duke filluar nga Del Piero e Zaneti.
“Unë nuk jam te Juventusi dhe për këtë arsye nuk i di arsyet e sjelljes së tyre me Del Pieron. Por mund të them se Havier është një djalë fantastik, ka ndërtuar një të ardhme të shkruar dhe të kërkuar nga vetë ai, me një punë si drejtues, edhe pse më parë duhet të largohet nga futbolli i luajtur”, u shpreh Morati, i cili ka folur edhe për të ardhmen e klubit zikaltër, me projektin që ka filluar me rinovimin skuadrës.
“Motivimet e mia? Gjithçka bëhet për tifozët, sakrifica dhe vuajtjet gjithashtu. Ndaj do të isha gjithmonë i gatshëm të rifilloja për të arritur të njëjtat objektiva, detyra ime është të rifilloj atë rrugë të suksesshme. Interi i ri? Është e rëndësishme të kesh këtë lloj objektivi të ndërtuar falë organizimit të mirë të sektorit të të rinjve që ka dhënë rezultate të mira dhe lojtarë po aq të mirë. Kjo na jep mundësinë të punojmë në këtë drejtim dhe të ndërtojmë gjëra të mira në rrugën që kemi zgjedhur”, tha presidenti i Interit që tashmë mban vendin e tretë në renditjen e kampionatit italian dhe është kthyer në pretendent për fitoren e titullit kampion. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 09:20