Zinedin Zidan, legjenda e futbollit francez, ka vendosur të bëjë një ndryshim të rëndësishëm për jetën e tij, pasi do të fillojë shumë shpejt kursin për t’u bërë trajner.
“Dua të bëj diçka ndryshe. Më është dashur kohë derisa mbërrita në këtë përfundim”, u shpreh Zidan për gazetën franceze “L’Equipe”.
“Objektivi imë është që të rifitoj adrenalinën e fushës së futbollit. A mund të drejtoj Francën? Pse jo!, ishte komenti i francezit në këtë intervistë.
“Gjashtë vite më parë u largova nga futbolli dhe reflektimi im ka qenë shumë i gjatë. Tani do të filloj kurset për trajner në Klerfonten. Do të kaloj njëherë fazat e trajnerit për futbollin amator dhe pastaj do të mendoj për atë të trajnerit profesionist. Nuk mbaj mend të kem arritur objektivat thjeshtë ndaj do të ishte normale që karrierën si trajner ta filloja me një ekip të vogël, ndoshta me të rinjtë”, pranoi Zidan.
“Nuk kam pyetur veten në çfarë niveli dua të drejtoj. Por është gjë e mirë që pyes veten nëse dua të trajnoj dhe përgjigja është po. Tani nuk është koha të drejtoj kombëtaren e Francës, pasi ka trajnerë të tjerë në detyrë por ju them se e dëshiroj një post të tillë meqë po më pyetni”, u shpreh me sinqeritet Zidan, i cili gjithsesi ka lavdëruar punën e bërë nga trajnerët Loran Blank dhe Didier Deshamp në vitet e fundit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 October 2012 19:06