Nikolas Anelka ka mbrojtur shpërthimin me fjalë banale të Samir Nasri ndaj një gazetari pas humbjes së Francës në çerekfinalen e Euro 2012 kundër Spanjës.
Nasri kishte filluar luftën e tij personale kundër gazetarëve franceze duke i bërë me shenjë që të heshtnin pas golit të shënuar kundër Anglisë. Ndërsa pas ndeshjes me spanjollët, ai shpërtheu në fyerje banale kundër gazetarëve që e pritnin për intervista.
Megjithatë, Anelka foli në mbrojtje të bashkëkombësit të tij, duke deklaruar se ai kishte çdo të drejtë të fliste atë që mendonte në publik, si çdo person tjetër.
“Në Francë, çdokush ka të drejtë të flasë publikisht. Media mund ta bëjë një gjë të tillë, njerëzit normal mund ta bëjnë një gjë të tillë, ndaj edhe Nasri mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai për “TF1”.
“Ndaj kur media mundohet të provokojë një lojtar, ajo në të vërtetë kërkon që lojtari të thotë diçka si kundërpërgjigje. Nasri i dha atyre diçka që po e kërkonin vetë. Gjithsesi, unë mendoj se ajo që bëri ai ishte e drejtë”.
Anelka njihet si një personazh mjaft problematik në karrierën e tij dhe karrierën me kombëtaren e mbylli pikërisht për shkak të një pezullimi prej 18 ndeshjesh të dhënë nga Federata Franceze në vitin 2010, pasi u përfshi në grevën e futbollistëve kundër trajnerit të atëhershëm, Raimod Domenek.
Për veprimet e tij, Nasri u pezullua me tre ndeshje nga përfaqësuesja franceze dhe nuk është thirrur ende nga trajneri Didier Deshamp për të luajtur me kombëtaren, ndonëse afati i këtij pezullimi ka mbaruar. (LajmeShqip.com)
Sunday, 14 October 2012 10:50