Fitorja 3-0 ndaj Uruguait ka rritur entuziazmin në radhët e përfaqësueses argjentinase që vazhdon të kryesojë grupin e Amerikës së Jugut në kualifikueset e Botërorit 2014. Serxho Aguero, autor i njërit prej golave, këtë fitore ia ka dedikuar edhe Lionel Mesit, të cilin e ka quajtur një fenomen, por duke vlerësuar të gjithë repartin e avancuar në këtë kombëtare.
“Të tre golat që shënuam kundër Uruguait ishin të bukur. Por më e bukur është se aksionet me kombinime dukej sikur të ishin në futboll salle, e jo në fushë të mirëfilltë stadiumi. Me Mesin e Di Marian ndjehemi shumë mirë duke luajtur në mënyrë të tillë”, tha ai duke iu referuar furisë sulmuese të kombëtares ku është një pikë referimi.
I kënaqur është shfaqur edhe Lionel Mesi, autor i një dygolëshi në këtë sfidë, duke mbajtur në krah shiritin e kapitenit të përfaqësues së vendit të tij.
“Kemi dominuar në çdo moment kundër Uruguait. E ndjej që po bëjmë gjërat ashtu siç duhet. Jam i lumtur pasi mundëm të fitonim përsëri dhe kënaqëm njerëzit në Mendoza. Mundëm kampionët e Amerikës së Jugut dhe ishim superiorë ndaj tyre në mënyrë të padiskutueshme”, tha ylli i futbollit botëror.
“Kam qenë gjithmonë i lumtur në kombëtare. Është e qartë që kur rezultatet janë të mira, je më i kënaqur. Shpresoj të vazhdojmë të shfrytëzojmë këtë moment pozitiv. Me këtë fitore, siguruam një avantazh të rëndësishëm ndaj Uruguait”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 18:01