Ian Torp, një nga legjendat e sportit të notit, ka pranuar se gjatë karrierës së tij ka vuajtur nga një depresion i tmerrshëm. Fituesi i 5 medaljeve të arta olimpike ka zbuluar në një autobiografi që do të publikohet se shpejti se në momentet e depresionit ka menduar shpesh të kryente vetëvrasje.
30 vjeçari ka treguar se kishte kohë gjatë jetës së tij që e bënin të dridhej duke planifikuar mënyra për t’i dhënë fund jetës, edhe pse ka pranuar se nuk ishte i sigurt nëse do të kishte qenë i aftë të zbatonte këto mendime.
Sipas tij, në momentet më të vështira të depresionit, ai u kthye në një të alkoolizuar. “Kjo ishte e vetmja mënyrë që të më zinte gjumi. Nuk ndodhte çdo natë, por shumë shpesh gjatë periudhës mes viteve 2002-2004, kur unë po stërvitesha për të mbrojtur titullin tim olimpik në Olimpiadën e Athinës. Unë abuzoja me alkoolin shumë në atë periudhë, duke qëndruar gjithmonë i vetëm dhe në një mjegull fatkeqësie që më rrethonte”.
Ai zbuloi se kishte qenë në gjendje të fshihte shenjat e alkoolit para shokëve të skuadrës dhe trajnerëve, ndërsa vazhdonte t’i gëzohej periudhës më të suksesshme të karrierës së tij pavarësisht kësaj luftë vetmitare ndaj depresionit.
“As familja ime nuk është e ndërgjegjshme se kam kaluar pjesën më të madhe të jetës time duke luftuar me depresionin”, tha notari i cili çuditi botën e sportit kur vendosi që t’i jepte lamtumirën garave në moshën 24 vjeçare. Vetëm kjo autobiografi ka treguar me saktësi arsyen pse australiani vendosi të largohej, pasi mendonte se në këtë mënyrë do të vuante më pak nga depresioni. Në karrierën e tij mes viteve 1998-2006, Torp ka fituar 9 medalje olimpike, bashkë me 11 tituj kampion bote dhe 13 rekorde botërore. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 October 2012 17:01