“Nuk kam në program asnjë udhëtim drejt Nju Jorkut. Herët a vonë do të shkoj atje, por vetëm për të takuar vajzën time”. Kjo është deklarata e administratorit të përgjithshëm të Milanit, Adriano Galiani, i cili ka bërë të qartë se nuk ka ndër mend të shkojë në SHBA për të takuar Pep Guardiolën, siç ishte aluduar në media gjatë ditëve të fundit.
Mediat italiane ngulmojnë se presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, është gati të bëjë çdo sakrificë ekonomike të mundshme për të sjellë Pep Guardiolën në Itali. Për këtë arsye, ai ka autorizuar Galianin të shkojë në Nju Jork për të negociuar drejtpërdrejt me trajnerin katalanas dhe për të diskutuar me të rreth politikave të së ardhmes të klubit.
Por administratori i klubit ka preferuar që të refuzojë një hipotezë të tillë, edhe për faktin se këto zëra po dëmtojnë gjithnjë e më shumë situatën me trajnerin aktual, Masimiliano Alegri. Kuqezinjtë janë të “detyruar” të mos bëjnë ndryshime në pankinë edhe për faktin se Guardiola, në rast pranimi, do të vinte në Itali vetëm gjatë verës së ardhshme, pasi i qëndron besnik idesë së tij për të bërë një vit pushim.
Ndërkohë, Galiani ka shuar edhe zërat që kanë lindur mbi shitjen e klubit nga presidenti Berluskoni, i cili mendohet se është gati të heqë dorë nga një pjesë e rëndësishme e aksioneve të skuadrës nëse gjen blerës të interesuar.
“Nuk ka asgjë të vërtetë në këto aludime, por nuk kemi patur kohën për të përgënjeshtruar gjithçka”, ishin fjalët e administratorit të Milanit. (LajmeShqip.com)
Friday, 12 October 2012 12:30