Trajneri i përfaqësues shqiptare, Xhani De Biasi, po mendon të bëjë ndryshime shumë të rëndësishme në formacionin e kombëtares për ndeshjen kundër Islandës, ku padyshim më i rëndësishmi është kthimi i Lorik Canës në repartin e mesfushës, vend ku ai ka shumë kohë pa luajtur me fanellën kuqezi.
Trajneri italian e ka eksperimentuar një gjë të tillë në miqësoren e luajtur dje kundër skuadrës së Olimpikut, të fituar me rezultatin 9-0 dhe ku shihej qartë se ai po ideon një rreshtim ndryshe nga ai i ndeshjeve të kaluara.
Ndryshimet fillojnë që nga mbrojtja, ku Curri është kthyer përsëri në qendër të këtij reparti, përkrah Mavrajt, me Dallkun djathtas e me Agollin që i është kthyer pozicionit të mbrojtësit të majtë, vend të cilin e ka mbajtur gjatë kohëve të fundit Andi Lila.
Kapiteni Cana do të kthehet në mesfushë, ndërsa bashkë me Kukelin do të formojë digën para mbrojtjes. Dy mesfushorët ofensivë do të jenë Roshi dhe Meha, për të shfrytëzuar aftësitë teknike të tyre dhe shpejtësinë përballë shtatlartëve islandezë. Edhe dyshja e sulmit pritet të formohet nga dy lojtarë të shpejtë, Salihi e Sadiku, duke parë se ata janë të vetmit që kanë luajtur më me rregullsi në kohët e fundit, në kundërshtim nga Çani e Bogdani që deri tani kanë ngrohur pankinën në ndeshjet e kampionatit.
Me këtë skemë, “të sakrifikuarit” janë Bulku, Lila e Vila, tre titullarët e sfidave të fundit, të cilët tashmë do të ulen në stolin e rezervave dhe do të shërbejnë si alternativa gjatë zhvillimit të ndeshjes.
De Biasi mendon që me këtë rreshtim, të sigurojë sa më shumë prapavijën, por edhe të ketë njëkohësisht 4 lojtarë që marrin pjesë aktive në lojën sulmuese, duke patur parasysh problemet që u shfaqën në takimin kundër Zvicrës, ku sulmi dukej i izoluar nga pjesa tjetër e ekipit dhe çdo veprim ofensiv ishte rastësor. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 October 2012 11:40