Trajneri i përfaqësueses italiane, Çezare Prandeli, ka sfiduar hapur Mario Balotelin duke vënë në diskutim aftësitë e sulmuesit për t’u bërë një kampion i padiskutueshëm në arenën ndërkombëtare.
Futbollisti 22 vjeçar nuk mori pjesë në dy ndeshjet e para të kualifikueseve të Botërorit 2014 të Italisë, për shkak të një operacioni kirurgjikal në sy. Por lojtari është grumbulluar për sfidat e radhës ndaj Armenisë dhe Danimarkës, ndërsa Prandeli shpreson që ai të bëjë diferencën në paraqitjet e kombëtares që drejton.
“Duhet ta pranoj se u mërzita kur Baloteli vendosi të bënte operacionin në sy në të njëjtën javë kur kishte dy ndeshje të kombëtares italiane. Unë e kam grumbulluar këtë radhë për të parë nëse vërtetë dëshiron të bëhet një kampion”, ishte thumbimi i tij ndaj sulmuesit, duke aluduar se i tillë mund të bëhej vetëm me fanellën e Italisë.
Baloteli ishte një nga personazhet e Euro 2012 me fanellën e Italisë, duke rënë në sy sidomos për dy golat e tij në fitoren kundër Gjermanisë në gjysmëfinalet e turneut. Por sulmuesi i Mançester Sitit është kthyer në rezervë dhe ka shpesh probleme në klubin e tij, ndaj te Italia mund të ketë shansin të fitojë përsëri admirim ndërkombëtar nëse paraqitet pozitivisht. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 09 October 2012 12:30