Olimpik Marsejë ka arritur të ruajë 3 pikët avantazh në kreun e renditjes së kampionatit francez ndaj Paris Sent Zhërmen falë barazimit 2-2 mes dy skuadrave në takimin e luajtur në “Velodrom”.
Andre Zhinjak shënoi golin e avantazhit për ekipin vendas por pastaj ishte Zlatan Ibrahimoviç që shënoi në mënyrë spektakolare dy herë brenda 3 minutash për të kaluar skuadrën e tij në avantazh. Megjithatë, Zhinjak u kundërpërgjigj me një tjetër gol para përfundimit të pjesë së parë e ndonëse PSZH ishte më superiore dhe iu afrua më shumë golit në pjesën e dytë, nuk arriti ta gjente atë dhe takimi u mbyll në barazimin 2-2.
Pavarësisht një ndeshje shumë të mirë, trajneri Ançeloti insistoi se skuadra e tij nuk kishte qenë në maksimumin e formës në këtë sfidë, pasi kishte shpenzuar shumë energji në ndeshjen e mesjavës në Ligën e Kampioneve.
“Nuk luajtëm me intensitetin që dëshironim, këtë jua garantoj unë. Kemi shpenzuar shumë energji të mërkurën ndaj Portos. Nuk zhvilluam një ndeshje të mirë, duhej të kishim patur më shumë kontroll të lojës dhe duhej të kishim shënuar përsëri pasi ishim në avantazh”, pranoi trajneri italian. (LajmeShqip.com)
Monday, 08 October 2012 09:20