Teo Uollkot duket se është gati të ulet edhe një herë në tavolinën e bisedimeve me Arsenalin për të rinovuar kontratën që i përfundon në këtë sezon. Mesfushori anglez u aktivizua si zëvendësues në takimin e fituar 3-1 kundër Uest Hem, ku ishte protagonist absolut me golin e dytë për skuadrën e tij, ndërsa më pas dha pasimin për golin e Kazorla.
“Unë dua të luaj për këtë klub dhe shpresoj që diçka do të ndodhë shumë shpejt”, ishte komenti i futbollistit 23 vjeçar në përfundimin e ndeshjes, ku u duartrokit gjatë nga tifozët e Arsenalit, të cilët kanë harruar “kërcënimet” e tij për largim gjatë verës.
Tani duket se e vetmja kërkesë e tij është që të luajë si sulmues, pasi në këtë pozicion po arrin të shkëlqejë, mendim i cili ndahet edhe nga trajneri Venger që po e aktivizon shumë shpesh në repartin e avancuar.
“Ai po i afrohet dalëngadalë këtij roli. Tani kam më shumë besim se kur shfaqet para portës arrin të shënojë gola. Ai arriti të shënonte një të tillë kur ndeshja ishte 50-50. Unë besoj te ai dhe kjo është arsyeja pse e aktivizova në një moment të rëndësishëm të ndeshjes. Teo bëri diferencën”, tha Venger që pritet të udhëzojë drejtuesit e klubit për t’i ofruar një kontratë të re të përmirësuar lojtarit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 07 October 2012 12:30