Sebastian Vetel ka siguruar pole-position në Suzuka për vitin e katërt radhazi, duke arritur të dhurojë një paraqitje të jashtëzakonshme në pistën japoneze të Formula 1.
Kampioni i botës në fuqi mundi shokun e tij të skuadrës, Mark Ueber që dha një xhiro të shpejtë vetëm 2/10 e sekondës më të ngadaltë.
Në fakt, australiani ishte shumë pranë kalimit në vendin e parë, por një rrotullim i Kimi Raikonen në xhiron e fundit të kualifikueseve detyroi të gjithë pilotët të ngadalësonin për shkak të flamujve të verdhë në pistë e si rrjedhojë, pole-position i mbeti Vetel.
Heroi i vendasve, japonezi Kamui Kobajashi me Suaber do të niset nga vendi i tretë, ndonëse dha kohën e katërt më të shpejtë. Ngjitja e tij me një pozicion erdhi për shkak se Xhenson Baton, që siguroi vendin e tretë në nisje, do të humbë 5 pozicione pasi ndryshoi marshin e makinës së tij.
Ai do të renditet para shokut të skuadrës, Luis Hemilton, i cili arriti të siguronte vetëm vendin e 9-të në nisje dhe gjendej mes atyre që po garonin shumë shpejt në momentin kur Raikonen u rrotullua në pistë,.
Një tjetër pilot i penalizuar në xhiron e fundit është Fernando Alonso, i cili do të niset nga vendi i 6-të, por do të ketë përpara tij pilotë të vështirë si Perez i Sauber dhe Groszhan i Lotus, në tentativën për t’iu afruar sa më shumë Vetel dhe për të mbajtur një distancë sigurie në kreun e kampionatit për pilotë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 06 October 2012 09:35