Klarens Sedorf nuk e ka harruar Milanin dhe ndjek me vëmendje ecurinë e kësaj skuadre. Sipas tij, klubi ka gabuar disi me vendimin për të mos siguruar trashëgimtarë të “senatorëve” të cilët u larguan duke lënë një boshllëk të madh në radhët e kësaj skuadre, gjë që pasqyrohet në rezultatet aktuale.
“Drejtuesit ishin të ndërgjegjshëm për hapësirat që po linin. Në vitet e kaluara i kanë dhënë lamtumirën klubit lojtarë shumë të mëdhenj si Maldini, Kostakurta apo Kafu, por në çdo rast kishte lojtarë të gatshëm për t’i zëvendësuar. Këtë radhë, ndryshimi i brezave nuk ishte, kjo është arsyeja pse impakti ishte i ndryshëm. Por nuk më takon mua të them nëse ishte e gabuar apo jo, ajo ishte zgjedhja e tyre. Por tani klubi duhet të marrë situatën në dorë dhe të tregojë rrugën me qartësi”, tha holandezi i cili po shkëlqen në radhët e Borafogos në kampionatin brazilian të futbollit.
Largimi i tij për shkak të problemeve me trajnerin Alegri është ende një temë e nxehtë diskutimi mes tifozëve të skuadrës, por holandezi nuk preferon polemikat, por i jep një këshillë teknikut italian si të ndryshojë sa më mirë ekipin.
“Një trajner ka detyrën për t’i transmetuar siguri dhe qetësi skuadrës. Me një punë të mirë tekniko-taktike, bashkë me karakteristikat e skuadrës, mund të ndryshohet edhe mënyra e lojës dhe trendi negativ. Të bësh më pak mbajtje topi dhe më shumë kundërsulm nuk është turp në futbollin e sotëm. Por jam i bindur se në fund Milani do t’ia dalë mbanë dhe do të tregojë se ka cilësi mbi mesataren”.
“Situata nuk mund të krahasohet me Interin, pasi edhe aty ikën lojtarë si Maikon, Hulio Cesar e Luçio, por asnjëri nuk ishte aty prej 10 vitesh. Nga Milani u larguam shumë lojtarë njëherësh dhe ndryshimi ishte traumatik. Por klubi ka ndërmarrë një rrugë që do të ecë në kohë. Nuk duhen parë rezultatet aktuale por e ardhmja, edhe pse them se për 5 vitet e ardhshme do të mbetet Juventus ekipi që duhet mundur”, shpjegoi Sedorf. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 October 2012 10:52