Andrea Stramaçioni është shfaqur mjaft i lumtur me paraqitjen e skuadrës së tij ndaj Neftçi Baku në Azerbajxhan, ku zikaltërit morrin një fitore me vlerë në Europa League. Më shumë se fitoren, ai ka festuar pikërisht paraqitjen, ku ranë në sy shumë prej lojtarëve të rinj në radhët e skuadrës zikaltër.
“Kjo është një fitore e rëndësishme që më jep disa përgjigje, të cilat shpresoja të ishin të tilla që më parë. Kemi ndryshuar interpretuesit, por cilësia e lojës tonë nuk ndryshoi. Me shumë mundësi, qëkur kemi filluar të luajmë me 3 në mbrojtje, kjo ka qenë paraqitja më e mirë e skuadrës”.
“Nuk kisha asnjë dyshim mbi aftësitë e Kutinjos, ashtu si nuk kisha dyshime mbi aftësitë e katër lojtarëve të tjerë U-21 që hynë në fushë në këtë ndeshje. Duhet thjesht të kesh guximin t’i aktivizosh dhe ne e bëjmë një gjë të tillë, falë edhe punës së shkëlqyer në sektorin e të rinjve”, u shpreh trajneri i cili ka dalë pikërisht nga akademia e zikaltërve dhe shumë prej këtyre lojtarëve i ka stërvitur vetë.
Stramaçioni ka marrë lëvdata pikërisht nga protagonisti i mbrëmjes, Filip Kutinjo, i cili shënoi një gol me thembër në suksesin 3-1 dhe ishte ndër lojtarët më të mirë në fushën e lojës.
“Për mua ishte e rëndësishme që shkova të luaja në Spanjë, pasi atje trajneri më dha besimin e tij dhe më aktivizoi. Më pas u ktheva te Interi, ku kam gjetur një trajner që i jep besim çdo lojtari”, tregoi ai arsyen e shpërthimit të tij në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Friday, 05 October 2012 10:02