Luis Hemilton ka zbuluar se telefonata më e vështirë e jetës së tij ka qenë pikërisht ajo që i ka bërë Martin Uitmarsh, shefit të skuadrës MekLaren në Formula 1, për ta njoftuar se kishte zgjedhur të largohej drejt Mercedes. Piloti britanik ka zbuluar se vendimi kishte qenë mjaft i rëndë për të, duke patur parasysh se kishte kaluar praktikisht gjithë jetën e tij në garat automobilistike në gjirin e kësaj skuadre.
“Kjo është telefonata më e vështirë që kam bërë në jetën time. Ishte shumë, shumë emocionuese. Ishte më shumë se të kapje telefonin dhe të formojë numrin, pasi mu desh të mendohesha mirë për atë që do të thosha. Doja që Martin të kuptonte se vlerësoja gjithçka që ka bërë për mua në këto vite”.
“Nuk e bëra për ofertën, pasi kisha dy të tilla që ishin thuajse të njëjta. Martin më pyeti se çfarë duhej të kishte bërë më shumë skuadra për të më bindur, por u tregova i sinqertë kur i thashë se e bëja për një sfidë të re, një hap që doja të bëja në karrierën time”, tha Hemilton që pranoi se situata në garat e fundit të sezonit do të ishte e çuditshme, sidomos me mekanikët që punonin për makinën e tij.
“Do të jetë mjaft interesante të hyj përsëri në garazh, për shkak të disa mekanikëve me të cilët punoj që prej vitit 2007. Ka njerëz në këtë skuadër me të cilët kam një marrëdhënie të shkëlqyer pasi janë këtu që prej fillimeve të mia dhe realisht nuk kam patur mundësinë të flas me to. Ia thashë edhe Martin se dua që të mblidhem me të gjithë dhe t’u shpjegoj vendimin tim”, tha britaniku. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 October 2012 11:40