Zhoze Murinjo ka preferuar të sqarojë nëpërmjet batutave situatën e krijuar te Real Madrid mes tij dhe mbrojtësit Serxho Ramos, me polemikat në distancë mes dy palëve.
“Marrëdhënia me gruan time është më e mirë se me Serxho Ramos. E njëjta gjë është për Arbeloa dhe për çdo futbollist tjetër të skuadrës. Pyetni Ramos çfarë ka dashur të bëjë, jo mua. Unë nuk kam probleme me të dhe as ai me mua. Për çështjen e fanellës së Ozil, pyetni më mirë vetë lojtarin. Por ta dini që të gjithë që Ramos është një profesionist i shkëlqyer”.
“As më shqetëson e as më ndikon polemika Ramos-Ozil, asgjë nuk më largon nga objektivi im që është të fitoj sfidën me Ajaksin. Ajo që ndodh jashtë, që shkruhet apo komentohet, nuk më shqetëson dhe besoj se një gjë e tillë është edhe për lojtarët”, vijoi Murinjo i cili ka përdorur një tjetër batutë për të komentuar situatën me “armikun” tjetër, Mesut Ozil.
“Ozil po luan më pak? Më pak në minuta apo më pak në cilësi, për cilën e ke fjalën?”, ishte komenti i tij ironik ndaj gazetarit që e pyeti për futbollsitin gjerman, duke lënë të kuptohet se ka dyshime mbi formën e numrit 10 te madrilenët.
Deklarata e Murinjos nuk ka lumturuar shumë drejtuesit e Realit të cilët nuk kanë qenë asnjëherë kundër kur portugezi polemizonte me të tjerët, por nuk pranojnë që ai ta bëjë një gjë të tillë me futbollistët madrilenë, për më tepër me Serxho Ramos që është një nga figurat më përfaqësuese të kësaj skuadre. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 03 October 2012 08:40