Adriano Galiani mund t’i japë shumë shpejt lamtumirën Milanit. Gazetat italiane kanë publikuar sot hipotezën e bujshme për ndryshime në drejtimin e kuqezinjve, ku administratori i përgjithshëm duket se do të jetë “viktima” e reformës që i jep pushtet të plotë vajzës së Silvio Berluskonit, Barbara.
Gjithçka do të ndryshojë nëse Berluskoni arrin të marrë në drejtimin e skuadrës Pep Guardiolën. Ky i fundit, do të ketë si asistent të tijin Paolo Maldinin, si zëvendëstrajner apo si drejtor teknik, dhe do të drejtojë në stilin anglez, duke bërë vetë merkaton e klubit, pak a shumë siç veprohej te Barcelona. Një situatë e tillë nxjerr thuajse jashtë loje Galianin, që për këtë arsye do t’i japë lamtumirën kuqezinjve.
Por administratori nuk do të largohet nga futbolli dhe nuk do të zgjedhë një klub tjetër. Ai pritet që të bëhet presidenti i ardhshëm i Ligës Italiane të Futbollit, duke marrë më shumë pushtet.
Për zëvendësimin e tij në çështjet administrative janë bërë gati që tani alternativat, ku e para është ajo e Klaudio Fenuçi, administrator aktual i Romës dhe i gatshëm t’i përgjigjet pozitivisht një ftese të familjes Berluskoni.
Megjithatë, gjithçka niset nga Guardiola dhe kjo është arsyeja pse ndryshimi drastik në administratën e klubit do të bëhet vetëm nëse trajneri spanjoll vendos të transferohet në Itali. Berluskoni është një adhurues i lojës dhe ideve të tij, e për këtë arsye është gati të bëjë çmenduri vetëm për ta patur në drejtimin e ekipit dhe për të filluar me të një tjetër cikël fitues shumëvjeçar. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 October 2012 14:17