Presidenti i Atletiko Madrid, Enrike Cerezo, ka bërë të qartë se do të bëjë maksimumin që Radamel Falkao të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës së tij edhe në të ardhmen, ndonëse sulmuesi kolumbian është kthyer në objektivin e merkatos së shumë klubeve të njohura në Evropë. Atletiko aktualisht mban vendin e dytë në renditje në Spanjë dhe shumë prej rezultateve të arritura në këtë sezon janë meritë e 7 golave të shënuar nga Falkao.
“Falkao është sulmuesi më i mirë në botë. Nuk është se e them vetëm unë, ka prova për një gjë të tillë. Ju garantoj se as unë e as ndonjë tifoz tjetër i Atletiko Madrid nuk do të ndërronte kurrë Falkaon as për Mesin e as për Kristiano Ronaldon. Falkao është më i miri, shumë e kërkojnë por ai luan me Atletiko dhe jemi shumë të lumtur që e kemi këtu”.
Numri 1 i Atletikos është i bindur se skuadra e tij mund të bëjë më shumë se kaq dhe të jetë një konkurrente e denjë me Barcelonën e Real Madrid që kanë dominuar tërësisht futbollin spanjoll në vitet e fundit.
“Mund të them se jemi shumë të motivuar dhe me dëshirën për të fituar. Kjo skuadër ka shumë uri për fitore. Nuk jemi një rival i lehtë për askënd dhe nuk do t’i dhurojmë asgjë askujt. Po ecëm me këtë hap, Atletiko do të arrijë objektiva të rëndësishëm në këtë sezon. Për kë bëjmë tifozllek në “El Clasico”? Për askënd, nuk na intereson si ndahet. Mendojmë si të mundim Malagan, ajo ka rëndësi”, tha presidenti i Atletiko Madrid. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 October 2012 12:30