Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të jetojë në hotel, ndonëse ka më shumë se dy muaj në Paris. Javën e kaluar, gazeta “Le Parisien” kishte zbuluar se futbollisti që fiton 14 milion euro në vit te parisienët, më në fund do të largohej nga hoteli “Intercontinental” ku banonte që prej mbërritjes së tij në kryeqytetin francez, por një gjë e tillë nuk do të realizohet, pasi vetë Ibra ka pranuar se ai nuk gjen dot shtëpi.
Lojtari pritej të merrte me qira rezidencën luksoze “Villa Montmorency”, në distriktin 16 të kryeqytetit francez, vetëm dy kilometra larg stadiumit “Parc Des Princes”. Kjo është një vilë mjaft e veçantë në një zonë VIP të qytetit, ku komshinjtë e tij do të ishin njerëz të rëndësishëm, mes të cilëve edhe presidenti ish-presidenti francez Sarkozi.
Por në fund, Ibrahimoviç ka mbetur me gisht në gojë, pasi ka zbuluar për “Telefoot” se pronari i vilës, pronar njëkohësisht i një skuadre në Formula 1, i ka rritur çmimin e qerasë lojtarit suedez pasi ka mësuar se sa paguhet te PSZH.
“Duhet të më ndihmoni të gjej një shtëpi, por mos u mundoni të ma hidhni me çmimin”, ishte apeli publik që sulmuesi suedez bëri gjatë një interviste në televizionin “TF1”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 02 October 2012 11:40