Serxho Ramos ka vazhduar polemikën në distancë me Zhoze Murinjon, ndonëse e ka cilësuar uljen në stol ndaj Seviljes si një “çështje teknike”. Pas ndeshjes me Deportivon, ku ai u kthye në pozicionin e vjetër të mbrojtësit të djathtë, Serxho Ramos ka saktësuar se parapëlqen më shumë të luajë në qendër, ndonëse kjo ka sjelle shpesh kritikat e Murinjos për lojën e tij.
“Rrethanat ishin të tilla që unë të luaja djathtas, por po të ishte në dorën time do të luaja gjithmonë në qendër. Por këtu jemi për të ndihmuar dhe për të luajtur ku ka nevojë ekipi. Nuk jam këtu për të bërë debat me trajnerin. Nuk i jap rëndësi as vlerësimeve e as kritikave. Mentaliteti im është ai që më ka sjellë deri këtu dhe do të vazhdoj në këtë mënyrë”.
“Nuk e ndjej veten në shënjestër, pasi askush nuk mund të kritikojë sjelljen time. Nuk jemi as makina e as robotë, mund të ketë kushdo ditën e tij të keqe. Nuk do të ndryshoj, vazhdoj me idetë dhe parimet e mia dhe nëse bëj atë që më pëlqen, përse duhet të ndryshoj? Askush nuk duhet të vërë në dyshim punën dhe besnikërinë time për këtë klub”, ishin fjalët e Ramos pas përfundimit të ndeshjes.
Mediat spanjolle kanë aluduar menjëherë se lojtari mund të kthehet në stolin e rezervave pas kësaj deklarate, e cila nuk i ka pëlqyer Zhoze Murinjos (LajmeShqip.com)
Monday, 01 October 2012 17:16