Rezultatet aspak të mira të skuadrës kanë tensionuar shumë situatën te Atletik Bilbao, ndërsa incidenti i radhës te finalistët e sezonit të kaluar të Europa League ka si protagonist përsëri sulmuesin Fernando Lorente. Ky i fundit, i mbajtur “me dhunë” në skuadër nga drejtuesit që nuk pranuan ta shitnin gjatë verës, është përjashtuar nga seanca e të hënës nga vetë trajneri Marcelo Bielsa, një prej personave që e kishte mbrojtur më shumë gjatë kësaj periudhe.
Gjatë stërvitjes, Bielsa kishte ndarë në grupe lojtarët, por ai ka ndalur seancën dhe i është drejtuar pikërisht grupit ku po praktikonte Lorente, duke iu drejtuar me gjeste lojtarit për të shprehur pakënaqësi ndaj impenjimit të tij të pakët. Ky i fundit, si rrallëherë, i është përgjigjur trajnerit argjentinas me një ton që duket se nuk i ka pëlqyer Bielsas.
Ai i ka bërë me shenjë lojtarit të largohet dhe Lorente ka ndjekur këshillën e tij, duke lënë në mes stërvitjen dhe duke ikur nga ambientet e klubit, pa bërë asnjë koment para gazetareve të pranishëm. Në fund të seancës stërvitore, edhe Bielsa është larguar pa e komentuar këtë ngjarje.
Kjo zënkë duket se komplikon më shumë situatën e Lorentes te klubi bask, ku ai tashmë nuk ka një raport të mirë as me drejtuesit e as me tifozët, pasi kërkoi vazhdimisht gjatë verës që ta shitnin te një skuadër tjetër. Meqë kontrata e tij përfundon në këtë sezon, që në janar ai është i lirë të bisedojë me skuadra të tjera, pa lejen e klubit, duke nënshkruar parakontrata për transferimin falas në fundin sezonit. Për sulmuesin e kombëtares spanjolle interesohen disa nga klubet me të njohura angleze dhe italiane. (LajmeShqip.com)
Monday, 01 October 2012 13:58