Dani Pedrosa ka mbajtur gjallë shanset e tij për të fituar titullin kampion në MotoGP falë një suksesi të jashtëzakonshëm në Çmimin e Madh të Aragon në Spanjë. Piloti i Hondas ishte dukshëm superior ndaj të tjerëve, aq sa edhe kryesuesi i renditjes së kampionatit botëror, Horge Lorenco me Jamaha, nuk ishte në gjendje të mbante hapin e tij.
Lorenco e mbylli garën 6.4 sekonda larg Pedrosa, por të paktën siguroi vendin e dytë, duke minimizuar dëmet në renditjen e kampionatit, ku tashmë mban 33 pikë avantazh ndaj bashkëkombësit të tij kur kanë mbetur edhe 4 gara deri në fundin e sezonit.
Pas krahëve të dy spanjollëve u rendit Andrea Doviciozo, i cili vazhdon të tregojë se e meriton plotësisht të kalojë Kejsi Stoner në renditjen e kampionatit falë dueleve të shkëlqyera që ka fituar në këtë sezon me shokun e tij të skuadrës te Jamaha Tek 3, Kal Kraçlou, i cili u rendit i katërti.
I pesti doli Ben Spis me Jamaha, ndërsa vendi i gjashtë i shkoi Alvaro Bautista, i cili përfitoi nga gabimet e të tjerëve për të fituar këtë pozicion mjaft të mirë.
Gara e Aragon ka qenë mjaft negative për Dukatin, me Niki Hejden që u rrëzua që në xhiron e parë, fatmirësisht pa ndonjë dëmtim. Ndërsa Valentino Rosi e mbylli garën në vendin e tetë, pas një përplasje në xhiron e parë me Rea që e dërgoi përkohësisht në vendin e fundit në renditje dhe u desh të bënte shumë parakalime për të marrë diçka pozitive në pistën spanjolle. (LajmeShqip.com)
Sunday, 30 September 2012 14:42