Ministri i Sportit në Brazil, Aldo Rebelo, ka emëruar Felipe Skolarin si “këshilltar” në stafin tij, pak ditë pasi trajneri u largua nga drejtimi i skuadrës së Palmeiras.
Detyrat e reja të trajnerit janë ende për t’u caktuar por mendohet se 64 vjeçari do të punojë si ambasador për fëmijët dhe do të përfshihet në programet edukative të qeverisë braziliane, të cilat kanë lidhje me përmirësimin dhe zhvillimin e sportit në këtë vend para Botërorit 2014.
“Kam qenë mësues fizkulture më parë dhe fëmijët më kanë mësuar shumë gjëra. Kjo është një mundësi tjetër që më jepet të përfshihem në aktivitete me ta”, deklaroi ish-trajneri i Brazilit dhe Portugalisë në një prononcim të shkurtër para gazetarëve.
Megjithatë, kjo nuk ka ndaluar spekulimet e shumta rreth të ardhmes së tij, pasi ai cilësohet si kandidati më i mundshëm për të marrë drejtimin e përfaqësueses braziliane nëse Federata e këtij vendi vendos të shkarkojë Mano Menezes. Skolari është një nga trajnerët më të dashur në Brazil dhe ishte i fundit që i ka dhënë këtij vendi Kupën e Botës në vitin 2002. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 September 2012 08:43