Zhoze Murinjo, trajneri i Real Madrid, pranoi se ekipi i tij nuk fitoi me shkëlqim përballë Rajo Vajekanos, por të paktën arriti të shfaqë “një sjellje të ngjashme me atë të vitit të kaluar”.
“Ishte një ndeshje e komplikuar, por u pa një sjellje e ngjashme me atë të vitit të kaluar. E rëndësishme është që minimalisht të jemi në maksimumin e përqendrimit dhe motivimit. Mendoj se skuadra u përgjigj mirë në këtë aspekt. Mund të kishim luajtur më mirë, ndonëse kundërshtari kërkonte topin dhe vraponte shumë, por mund të them se skuadra ishte e përqendruar te kjo ndeshje”.
“Kjo ishte një ndeshje e vështirë për shkak të shtyrjes, ishte një ndeshje me shumë trysni, pasi ata përdorën shumë presing ndaj nesh për të na detyruar të luanim keq topin. Por rastet më të mira i kishim padyshim ne. Ata bënë një kundërsulm në pjesën e parë dhe krijuan një rast kur Arbeloa humbi topin në zonën tonë në pjesën e dytë, asgjë më shumë”.
Ndonëse ka ardhur një fitore e rëndësishme që nuk lejon Barcelonën të shkëputet më shumë në renditje, Murinjo thekson se skuadra aktualisht është ende larg nivelit të sezonit të kaluar.
“Gjatë vitit të kaluar, për pjesën më të madhe të kohës ishim shumë të suksesshëm dhe për këtë arsye shënonim shumë gola. Por në këto momente nuk po luajmë aq mirë, nuk kemi besimin në maksimum dhe kemi nevojë që të fitojmë ndeshje për ta rifituar. Por ky nuk është momenti për të menduar për golat, e rëndësishme është që kemi shënuar mjaftueshëm për të fituar dhe që ditëm të kontrollonim takimin”, tha trajneri i Realit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 September 2012 11:33