Sebastian Vetel me Red Bull ka fituar Çmimin e Madh të Singaporit në Formula 1, duke përfituar maksimalisht nga tërheqja e radhës e Luis Hemilton që braktisi garën në mes për shkak të problemeve në MekLarenin e tij. Xhenson Baton me makinën tjetër MekLaren u rendit i dyti, ndërsa Fernando Alonso siguroi vendin e tretë duke ruajtur një distancë të ndjeshme me rivalët në kreun e renditjes së kampionatit.
Hemilton dhe Vetel kryesonin të shkëputur garën, me Baton pas tyre. Por një problem hidraulik detyroi kryesuesin e garës që në xhiron e 22-të të parkonte makinën në një cep të pistës dhe të shihte se si ikte nga duart mundësia për t’u afruar më tepër në luftën për titullin kampion.
Kjo bëri që Vetel të shkonte i qetë drejt finishit, pasi Baton nuk u duk asnjëherë në gjendje për të rivalizuar me të, pavarësisht hyrjes së dyfishtë të makinës së sigurisë në pistë.
Ndërsa Alonso ishte me fat pasi fillimisht largimi i Hemilton, e pastaj një strategji e gabuar e Maldonado që ishte para tij, bënë që ai të siguronte një vend të tretë në këtë garë ku Ferrari nuk ishte në maksimumin e vet.
Pol Di Resta ishte surpriza e ditës, pasi me makinën e tij Force India siguroi vendin e katërt, duke lënë pas Niko Rosberg (Mercedes), Kimi Raikonen (Lotus), Romen Groszhan (Lotus), Felipe Masa (Ferrari), Daniel Riçiardo (Toro Roso) dhe Mark Ueber (Red Bull), të gjithë pilotë që përfunduan në zonën e pikëve. (LajmeShqip.com)
Renditja e botërorit për pilotë pas 14 garash:
194 Fernando Alonso (Ferrari)
165 Sebastian Vetel (Red Bull-Reno)
149 Kimi Raikonen (Lotus-Reno)
142 Luis Hemilton (MekLaren-Mercedes)
133 Mark Ueber (Red Bull-Reno)
119 Xhenson Baton (MekLaren-Mercedes)
93 Niko Rosberg (Mercedes)
82 Romein Groszhan (Lotus-Reno)
65 Serxho Perez (Sauber-Ferrari)
51 Felipe Masa (Ferrari)
Sunday, 23 September 2012 16:32