Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka vazhduar “kryqëzatën” e tij kundër klubeve që shpenzojnë shuma të çmendura në merkato, pikërisht në ditën para ndeshjes së skuadrës së tij me Mançester Sitin, që bën pjesë te kjo kategori.
Tekniku francez është një mbështetës i rregulloreve të fair-play financiar të cilat shpreson se do të ulin disi shpenzimet e skuadrave si Mançester Siti e PSZH, për të ndihmuar ekipet me planifikim afatgjatë si Arsenali që të fitojnë trofe, të cilët i mungojnë prej 7 vitesh skuadrës së tij.
“Në fund, është futbolli ai që vuan. Shikoni çfarë ndodhi në merkato gjatë kësaj vere. PSZH është ambicioze, ka burime të ardhurash dhe kaq mjafton. Ne themi gjithmonë të njëjtën gjë”.
“Europa është kthyer si Titaniku, por ne vazhdojmë sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Më shumë se kurrë, duhet të menaxhojmë klubet në mënyrë të kontrolluar pasi përndryshe të gjithë do të vuajnë”, tha ai.
Këtë radhë, mendimin e tij e ka ndarë edhe Aleks Ferguson, i cili nxiti UEFA-n që t’i hiqte vendin në arenën ndërkombëtare klubeve që shkelnin rregullat.
“Kualifikimi në Ligën e Kampioneve nuk duhet të jetë vendi i parë apo i dytë në kampionat, duhet bërë me ftesë. Por kur dikush (PSZH) paguan 36 milion paund për një djalosh 19 vjeçar (Lukas Moura), atëherë me të drejtë duhet të thuash që futbolli është çmendur”, përsëriti Ferguson mendimin e dhënë që disa javë më parë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 23 September 2012 10:01