Ekonomisti i njohur ndërkombëtar Hose Maria Gai ka shprehur shqetësimin e tij mbi gjendjen e futbollit spanjoll pas publikimit të raportit të tij vjetor mbi situatën financiare të 5 kampionateve të mëdha në Evropë.
Sipas tij, Real Madrid dhe Barcelona janë të vetmit klube të kampionatit spanjoll që po bëjnë hapa para duke shlyer borxhet që kanë, ndërsa thekson se asnjë prej skuadrave të tjera spanjolle nuk ka bërë progres në 5 vitet e fundit.
“Primera Division nuk po ecën para. Barcelona dhe Real Madrid janë të vetmit klube që vazhdojnë të rriten. Të gjitha klubet e tjera janë në të njëjtën situatë si pesë vite më parë”, tha ai në një konferencë për shtyp.
“Nëse më pyetni mua, futbolli spanjoll po vdes. Ata janë pesë vite pas kampionateve të tjera të mëdha. Gjendja e keqe e stadiumeve është arsyeja kryesore”.
Gai më pas tregoi opinionin e tij se edhe sistemi financiar i kampionatit anglez nuk kishte shumë të ardhme, me Gjermaninë dhe Francën që ishin shembujt që duheshin ndjekur nga ky moment.
“Modeli i kampionatit anglez është i falimentuar nga një pikëpamje financiare. Ai bazohet mbi pronësinë e klubit dhe humbjet financohen nga kompanitë e atyre që i zotërojnë. Futbolli është reflektimi i vërtetë i ekonomisë së një vendi dhe Franca me Gjermaninë po tregojnë rrugën në këto momente”, tha ekonomisti spanjoll. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 September 2012 13:20