Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, ka deklaruar se është i lumtur me kontributin e Fernando Torres, pavarësisht kritikave që bëri kundër tij ish-sulmuesi Rud Gulit. Holandezi kritikoi ashpër Torres duke theksuar se spanjolli rrezikonte seriozisht të humbte vendin në ekip nëse vazhdonte me këto ritme në të ardhmen.
“Për mua ai duhet të bëjë më shumë, nuk është mjaftueshëm. Ai kishte vetëm një gjuajtje në portë gjatë të gjithë ndeshjes, ka raste kur Çelsi duket sikur luan me 10 lojtarë. Për momentin ai duket si një enigmë, duhet të kthehet shumë shpejt në formë”, tha Gulit duke iu referuar ndeshjes kundër Juventusit, një mendim që nuk ndahet nga Di Mateo.
“Ne jemi të lumtur me Torres. Edhe kur nuk shënon, ai ose jep pasime, ose punon shumë për skuadrën. Për mua nuk ekziston një problem i tillë. Ai gjithmonë i mban mbrojtësit kundërshtarë në tension, duke lëvizur apo duke bërë gjënë e duhur. Tani ka besim, po luan mirë dhe shënon gola. Nuk shënoi në ndeshjet e fundit, por e ka bërë një gjë të tillë më parë”, tha trajneri italian.
Di Mateo komentoi qetësisht edhe vizitën e Roman Abramoviç në ambientet e klubit, pasi mediat angleze spekuluan se pronari i Çelsit kishte qenë i pranishëm në stërvitje për t’i tërhequr veshin stafit dhe lojtarëve për barazimin me Juventusin.
“Të them të drejtën ai vjen shumë shpesh. Atij i pëlqen të jetë i përfshirë dhe viziton kur ka mundësi. Unë thjesht fokusohem te puna ime dhe mundohem të përgatit lojtarët dhe skuadrën që të marrim maksimumin nga ndeshja e radhës”, ishte komenti i Di Mateos. (LajmeShqip.com)
Saturday, 22 September 2012 10:01