Trajneri i Mançester Sitit, Roberto Mançini, ka patur një tjetër përballje me Mario Balotelin, pasi ky i fundit vazhdon të tregojë papërgjegjshmëri me veprimet që kryen vazhdimisht. Shqetësimi më i madh për trajnerin është se sulmuesi pi rregullisht cigare dhe jeta e natës mund të ndikojë në formën e tij sportive.
Pas barazimit 1-1 me Stouk, Baloteli ishte në një festë deri në orët e para të mëngjesit, fakt që nuk i pëlqeu Mançinit, i cili i kishte kërkuar lojtarit që të bënte pushim absolut para ndeshjes me Real Madrid. Si dënim, Baloteli u detyrua të udhëtonte me ekipin drejt “Santiago Bernabeut”, ndonëse nuk do të merrte pjesë në ndeshje, por do ta shihte atë nga tribuna.
Për më tepër, klubi po shtyn trajnerin që të marrë masa ndaj vesit të duhanpirjes së futbollistit në fjalë, pasi në këtë mënyrë dëmtohet imazhi i Mançester Sitit, që e paguan atë më shumë se 100 mijë paund në javë dhe ka shpenzuar 24 milion paund për ta blerë nga Interi.
“Mançini dhe Baloteli janë zënë përsëri në pasditen e të hënës. Temat janë të ditura, festat deri në orët e para të mëngjesit dhe pirja e duhanit që është kthyer në një ves. Kjo bëri që ai të përfundonte jashtë skuadrës për takimin kundër Realit”, ka thënë një burim brenda klubit për “Daily Mail”, duke sqaruar se trajneri italian i ka thënë bashkëkombësit të tij se durimit po i vinte fundi. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 14:10