Një penallti në minutat e fundit nga Neimar i ka dhënë fitoren 2-1 Brazilit ndaj Argjentinës në turneun “Superklasikja e Amerikës”. Sulmuesi brazilian shënoi në kohën shtesë të ndeshjes për t’i dhënë këtë avantazh minimal skuadrës së drejtuar nga Mano Menezes, para ndeshjes së kthimit që luhet në Argjentinë me 3 tetor.
Ndonëse të dy kombëtaret përdorën vetëm lojtarë të kampionateve respektive, ndeshja ishte mjaft e bukur dhe emocionuese, pasi ishte Argjentina që kaloi në avantazh e para në minutën e 20-të me Martinez pas një aksioni model.
Por ky avantazh zgjati vetëm 6 minuta, pasi Neimar ekzekutoi një goditje dënimi duke gjetur Paulinjon, i cili dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë.
Dy skuadrat krijuan raste për të shënuar por nuk arritën të shënonin dhe dukej sikur ndeshja po shkonte në barazim. Por në minutën e 3-të shtesë, Brazili fitoi një 11 metërsh për prekje të topit me dorë në zonë nga argjentinasit dhe Neimar shënoi qetësisht nga pika e bardhë për t’i dhënë suksesin kombëtares së vendit të tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 20 September 2012 08:01