Pragndeshja me Rubin Kazan në Europa League ka gjetur skuadrën e Interit me entuziazmin e rezultatit pozitiv të ndeshjes së fundjavës. Për këtë arsye, trajneri Stramaçioni nuk fshihet, ndërsa deklaron se ekipi i tij do të bëjë maksimumin për të marrë trofeun evropian.
“Rubin është kundërshtari më i vështirë i grupit. Hyjmë në fushë për të fituar të gjitha ndeshjet dhe për të shkuar sa më larg që të jetë e mundur”, tha ai.
“Ky është një turne i ndryshëm nga të gjithë të tjerët, sidomos për ditën në të cilën luhet, që nuk është maksimumi që kërkon një skuadër. Fakti që Interi cilësohet pretendente kryesore për fitoren e turneut është normal, pasi jemi skuadra pjesëmarrëse me koeficientin më të lartë. Por nuk është aspak e lehtë, pasi dita në të cilën luhen ndeshjet favorizon ekipet që janë më pak të impenjuara në kampionatet respektive”, vijon Stramaçioni.
Trajneri i Interit më pas i është kthyer përsëri debatit të hapur pak ditë më parë rreth termit “provincial” që u përdor ndaj Interit nga opinionistët televizivë dhe solli më pas reagimin e tij.
“Nuk kam asgjë kundër fjalës, një term që i përket kulturës italianë dhe futbollit italian. I jam përgjigjur gjithmonë pyetjeve mbi zgjedhjet teknike dhe taktike, por po flisnim në fund të një ndeshje të fituar kundër një skuadre në formë në një fushë të vështirë ku do të vuajnë shumë ekipe. Kemi dominuar dhe desha që t’i jepja fund gjykimeve paragjykuese ndaj Interit. Për mua, kjo ishte diçka e paramenduar dhe për këtë arsye do të dal gjithmonë e do të mbroj skuadrën nga sulme të tilla”, tha trajneri. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 September 2012 16:01