Zlatan Ibrahimoviç ka shprehur kënaqësinë e tij për fitoren e thellë 4-1 me të cilën PSZH është kthyer në Ligën e Kampioneve, ku mungonte prej shumë vitesh. Parisienët nuk luanin në këtë turne që prej dhjetorit të vitit 2004 dhe për këtë arsye, suksesi me një ndeshje shumë të mirë ishte edhe më i kënaqshëm.
“Kemi fituar 4-1 dhe ishte një fillim i mbarë në Ligën e Kampioneve, shumë pozitiv edhe për skuadrën. Duhet të çojmë këtë pozitivistet në ndeshjen e radhës, ashtu si edhe besimin te vetvetja. Skuadra po luan më mirë dhe lojtarët po arrijnë të gjejnë më mirë pozicionet e tyre, duke u ndjerë më të rehatshëm në mënyrën e lojës. Ishte ndeshja e parë, me vështirësitë e para, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë shumë”, tha suedezi që hyri në histori me golin e tij, pasi ka shënuar me 6 skuadra të ndryshme në Ligën e Kampioneve.
Por suedezi e ka patur mendjen vetëm te paraqitja e skuadrës në përgjithësi dhe jo te ajo personale.
“Ky është një sinjal për të ardhmen. Nëse fituam, ndodhi sepse luajtëm mirë, Kjo na jep më shumë besim për takimin e radhës kundër Portos, një ekip mjaft cilësor. Ky është një fillim i jashtëzakonshëm”, pranoi Ibrahimoviç i cili nuk e ka fituar asnjëherë Ligën e Kampioneve ndonëse ka qenë pjesë e disa prej skuadrave më të njohura në arenën ndërkombëtare. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 September 2012 14:10