Trajneri i Bajern Mynih, Jup Heinkes, ka bërë të ditur se pret “një natë speciale” në ndeshjen e Ligës së Kampioneve që skuadra e tij luan sot përballë Valencias. Bavarezët do të luajnë përsëri në këtë turne në stadiumin “Allianz Arena”, aty ku pak muaj më parë humbën finalen përballë Çelsit.
“Mendoj se Liga e Kampioneve apo ndeshjet evropiane në përgjithësi janë shumë speciale. Kështu është për lojtarët dhe kështu është edhe për mua si trajner. Duhet të them se është e rëndësishme për ne që të kemi një fillim të mirë në sezonin ri, në mënyrë që të provojmë përsëri të arrijmë deri në fund në sfidën e Ligës së Kampioneve”.
Sipas Heinkes, ndaj Valencias do të kthehen në fushën e lojës dy nga yjet e kësaj skuadre, Frank Riberi dhe Arjen Roben, të cilët kanë munguar në javët e fundit për shkak dëmtimesh.
“Të gjithë e dinë që ato morën pjesë në stërvitje, gjatë të gjithë seancës me lojtarët e tjerë. Tani të shohim si do të reagojnë deri para takimit. Me atë që pashë në stërvitje, them se të dy do të jenë gati për të luajtur”, deklaroi Heinkes. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 19 September 2012 11:40