Real Madrid ka kthyer në katër minuta një disfatë të rëndë në një fitore të shkëlqyer, duke mundur Mançester Sitin me rezultatin 3-2. Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo, deri në minutën e 87-të të ndeshjes po mundej 2-1 në fushën e saj nga anglezët e drejtuar nga Roberto Mançini, por ka përmbysur gjithçka me golat e Benzema dhe Kristiano Ronaldo, duke marrë një sukses shumë të rëndësishëm.
Murinjo kishte vendosur të bënte ndryshime në formacion, duke lënë jashtë dy lojtarë që në sezonin e kaluar kanë qenë thelbësorë për skuadrën si Serxho Ramos e Ozil. Por madrilenët janë përsëri ata që kontrollojnë ritmin e lojës dhe mbyllin Mançester Sitin në gjysmëfushën e vet. Portieri Hart kthehet në heroin e ekipit anglez pasi në pjesën e parë shpëton portën nga gola të sigurt pas gjuajtjeve të Higuain, Marcelo apo Di Maria, ndërsa skuadrat shkojnë me rrjeta të paprekura në pushimin e ndeshjes.
Më kthimin në fushë, Mançini gjen zëvendësimin e duhur, dukë larguar David Silva dhe duke aktivizuar Xhekon, me boshnjakun që gjen rrugën e rrjetës në mënyrë të papritur në minutën e 69-të. Por gëzimi i anglezëve zgjat vetëm pak minuta, pasi Marcelo barazon rezultatin me një gjuajtje të devijuar lehtësisht nga mbrojtësit kundërshtarë.
Megjithatë, goditja e dënimit e Kolarov në minutën e 85-të bën që të heshtë përsëri “Santiago Bernabeu”, që duket se pajtohet me një tjetër humbje të madrilenëve. Por Benzema në minutën e 87-të dhe Kristiano Ronaldo në minutën e 90-të vulosin përmbysjen e pabesueshme dhe fitoren 3-2 të skuadrës së Murinjos, i cili ka festuar si i çmendur këtë sukses të skuadrës së tij.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit, Borusia Dortmund është konfirmuar si pretendente duke marrë tre pikët e para falë suksesit përballë Ajaks me golin e Levandovskit në minutën e 87. (LajmeShqip.com)
GRUPI D
Borusia Dortmund-Ajaks 1-0
87’ Levandovski
Real Madrid-Mançester Siti 3-2
76’ Marcelo, 87’ Benzema, 90’ Kristiano Ronaldo / 69’ Xheko, 85’ Kolarov
Tuesday, 18 September 2012 22:05