Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, deklaroi se ylli i Barcelonës, Lionel Mesi, është pak më i mirë se sulmuesi i Real Madrid, Kristiano Ronaldo. Dy yjet e kampionatit spanjoll shihen nga të gjithë si futbollistët më të mirë në botë për momentin dhe Ronaldo nuk mund të bëjë asgjë tjetër vetëm të tregojë admirim për argjentinasin dhe të thurë lëvdata për portugezin.
“Sipas opinionit tim, Mesi qëndron pak më lart se Kristiano Ronaldo”, tha ai për CNN. “E jap preferencën time për Mesin pasi ai është një lojtar që na tërheq më shumë, që tregon me shumë krijimtari, edhe pse është nga Argjentina që ka një rivalitet të ndezur me Brazilin. Por duhet ta pranoj se i admiroj të dy si futbollistë”, konfirmoi sulmuesi që ka bërë emër në historinë e futbollit botëror.
Më pas, 35 vjeçari diskutoi edhe të ardhmen e bashkëkombësit të tij Neimar, duke theksuar për të disatën herë se ai kishte nevojë urgjente të transferohej në Evropë për t’u përmirësuar dhe për të arritur në nivelin e më të mirëve.
“Mendoj se Neimar ka edhe një tjetër fazë për të plotësuar, të luajë në Evropë dhe të triumfojë duke luajtur në Evropë”, deklaroi Ronaldo.
Ronaldo po pret me padurim edhe Botërorin në Brazil dhe beson se ekipi kombëtar është në gjendje të fitojë Kupën e Botës.
“Unë mendoj se në fitoret e fundit që kishim në Kupën e Botës (1994 dhe 2002), skuadra u krijua tradicionalisht në vitin e fundit. Ndaj mendoj se kemi ende kohë. Kemi Neimar që është një talent i madh, Pato, Tiago Silva i cili është një mbrojtës i shkëlqyer, Ganso apo Oskar. Ne kemi një skuadër shumë të re, por po luan në një nivel të lartë dhe na jep ne një shpresë të madhe për suksesin”, tha Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Saturday, 15 September 2012 14:49