Mesfushori i Bajern Mynih, Arjen Roben, beson se ai duhet të bëhet me egoist në fushën e lojës që t’i kthehet përsëri formës më të mirë. Lojtari i përfaqësueses holandeze është kritikuar shpesh në vitet e fundit për mënyrën e tij të lojës shumë individuale. Por vetë futbollisti mendon se ky egoizëm është ai që e bën një lojtar të rrezikshëm për kundërshtarët.
“Më duhet të kthehem përsëri te bazat e futbollit. Mund të duket pak e çuditshme por më duhet të bëhem më shumë egoist përsëri”, tha ai për “Voetbal International”.
“Më duhet të bëj veprime individuale dhe të fitoj përsëri besimin te vetja, thjesht të bëj më të mirën. Kishte disa momente gjatë fazës përgatitore kur mendova “ja ku është Arjeni i vjetër”. Nuk kam qenë kurrë krejtësisht i qetë në muajt e fundit. Mendoja më shumë rreth asaj që po bëja sesa të përdorja intuitën time”.
“Paparashikueshmëria është forca ime më e madhe. Sigurisht që unë e marr një vendim të gabuar herë pas here, por kjo është pjesë e lojës time. Nuk arrita asnjëherë në maksimumin e formës time në vitin e kaluar, pasi në mënyrë të pandërgjegjshme po përshtatja lojën me kërkesat e të tjerëve”, deklaroi mesfushori holandez. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 September 2012 20:31