Fabio Kapelo ka vlerësuar maksimalisht Radamel Falkaon, duke e cilësuar lojtarin më të mirë në botë për momentin.
“Në të gjithë karrierën time ka ekzistuar vetëm një lojtar i cili më ka bërë përshtypje aq sa Lionel Mesi që herën e parë që e pashë të luante dhe ai është Radamel Falkao. Ai është një sulmues i madh, jam i sigurt që aktualisht ai është numri 1”, tha trajneri italian në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta Dello Sport”.
Kapelo ka dhënë mendimet e tij mbi një nga duelet më të bukur të viteve të fundit në futbollin evropian, atë mes Real Madrid dhe Barcelonës. “Me 11 lojtarët më të mirë në fushë, këto skuadra janë të barabarta, por me zëvendësuesit fiton padyshim Reali”. Sipas tij, vetëm Mançester Siti ka zëvendësues kaq të mirë në mesfushë dhe sulm ashtu si madrilenët. “Më duket paradoks që ndeshja e parë në grupin e Ligës së Kampioneve do të jetë pikërisht Real-Mancester Siti dhe për më tepër një sfidë vendimtare”.
Nuk mund të mungonte një koment mbi dy trajnerët që i kanë shtuar shkëlqim duelit Real Madrid-Barcelona në vitet e fundit.
“Murinjo më pëlqen shumë pasi është solid, pragmatik dhe di të përshtatë sistemin e tij ndaj lojtarëve që ka në dispozicion dhe u nxjerr maksimumin. Ai është një psikolog i shkëlqyer në dhomat e zhveshjeve”.
“Guardiola, përveç faktit që ka fituar që në moshë të re, ka bërë edhe më shumë: ai ka arritur të shpikë dhe ta bësh këtë në futboll është shumë e vështirë. Aftësia për të rekuperuar topin në zonën e lartë falë presionit të lojtarëve të sulmit nuk ekzistonte më parë, të paktën në mënyrë aq perfekte”, deklaroi Kapelo. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 September 2012 19:39