23 vjet pas ngjarjes tragjike të Hillsborou ku kumbën jetën 96 tifozë të skuadrës së Liverpul, e vërteta ka dalë në shesh. Një komision i pavarur hetimor ka bërë të ditur se policia u mundua të fshihte përgjegjësitë e saj në katastrofën e stadiumit, duke njollosur me dashje figurën e tifozëve të Liverpul, për t’i fajësuar ata për ngjarjen.
Në të njëjtën kohë, raporti në fjalë ka bërë të qartë se 41 nga viktimat mund të ishin shpëtuar nëse shërbimet e emergjencës do të kishin vepruar më shpejt në ngjarjen tragjike të gjysmëfinales së Kupës FA në vitin 1989.
Familjarët e atyre që humbën jetën kërkuan me urgjencë që të hapet një hetim “kriminal” ndaj policëve që inskenuan ngjarjen për të fajësuar tifozët e Liverpulit, pasi raporti në fjalë tregoi qartë se faji kishte qenë krejtësisht i forcave policore që kishin mashtruar në të gjitha mënyrat e mundshme.
Sipas raportit, edhe drejtuesit e policisë morën pjesë në një fushatë për të fajësuar tifozët e vdekur për ngjarjen. Raportet mjekësore u manipuluan për të sugjeruar që tifozët ishin të dehur, kishin mbërritur pa bileta dhe hynë me dhunë në stadium.
Disa kampione gjaku u morën nga të gjitha viktimat, mes të cilëve edhe fëmijë të moshës 10 vjeç, për të provuar se shumë prej tyre kishin qenë të dehur. Më pas, u ndërtuan edhe raporte policore false për të njollosur jetën private të viktimave.
Dje u publikuan rreth 400 mijë dokumenta që provojnë se si 164 deklarata policore janë ndryshuar, 116 prej të cilave për të hequr kritikat ndaj punës së policisë.
Kryeministri anglez, Devid Kameron, dje kërkoi falje publikisht në Parlamentin Angles për atë që ndodhi gjatë takimit gjysmëfinal të Kupës FA në vitin 1989 mes Liverpul dhe Notingam Forest, në stadiumin e Hillsborou që i përkiste Shefild Uednsdi. “Me peshën e këtyre dëshmive dhe provave të reja, është e drejtë për mua si Kryeministër t’u kërkoj falje familjarëve të 96 viktimave për atë që kanë vuajtur në 23 vitet e fundit. Në emër të Qeverisë dhe të gjithë vendit tonë, ndjej keqardhje për këtë padrejtësi të dyfishtë që ka qëndruar e pakorrigjuar për kaq shumë kohë”, ishin fjalët e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 September 2012 16:34