Lionel Mesi, që tani mban shiritin e kapitenit te Argjentina, mendon se ndeshja e kualifikueseve të Botërorit 2014 kundër Perusë i ngjante më shumë një sherri fizik se sa një ndeshje futbolli. Lojtari ka shprehur pakënaqësi për mënyrën se si kanë shkuar gjërat në fushën e lojës, por ka zbuluar gjithashtu se i ka pëlqyer fakti që ekipi mori një barazim në këtë sfidë të vështirë.
“Ishte një ndeshje mjaft e luftuar, por ishte më shumë si një zënkë se takim futbolli. Ndeshjet jashtë fushe si kjo janë gjithmonë të vështira dhe duhet të jesh i fortë dhe i përgatitur. As gjendja e fushës nuk na ndihmoi, por nuk dua ta përdor këtë si justifikim”, tha lojtari i cili në këtë ndeshje nuk arriti të shfaqej në maksimum për shkak të gardhit që i kishin krijuar kundërshtarët, pasi kishte thuajse gjithmonë 2 ose 3 lojtarë që e mbulonin.
Gjithsesi, argjentinasi vazhdon të shohë pozitivitet edhe në këtë moment, pasi kombëtarja e vendit të tij mbetet në vendin e parë në grupin e Amerikës së Jugut.
“Do të kishim preferuar të merrnim 3 pikët por gjëja më e rëndësishme për ne mbetet që nuk u mundëm. Një barazim është një rezultat i mirë pasi vazhdojmë të jemi në majën e klasifikimit. Do të na duhet që të fitojmë ndeshjen e radhës kundër Uruguajit”, tha Mesi.
Argjentina është e para në grup me 14 pikë në 7 ndeshje, ndërsa ka një pikë avanatazh ndaj Kolumbisë që e ndjek në renditje. (LajmeShqip.com)
Thursday, 13 September 2012 12:01