Kristiano Ronaldo ka qenë futbollisti i parë që është shfaqur sot në ambientet e klubit madrilen pas kthimit nga detyra me ekipin kombëtar, si për të vërtetuar se zërat për mosimpenjim ishin krejtësisht shpifje. Për më tepër, lojtari ka dashur t’i tregojë të gjithëve se do të vazhdojë të qëndrojë në radhët e Realit, pavarësisht mërzisë së tij, nëpërmjet një mesazhi të publikuar në faqen e tij zyrtare në Facebook.
“Dua të rikonfirmohem, pa u shqetësuar për kontratat, se e gjithë vëmendja ime është e përqendruar ekskluzivisht për të fituar të gjithë trofetë e mundshëm me shoqërinë e pandashme të shokëve të skuadrës dhe me të gjithë madrilenët”, ishte mesazhi i qartë i Kristiano Ronaldos.
Më pas, portugezi ka folur për kombëtaren e vendit të tij, duke treguar se fillimi i mbarë i eliminatoreve ishte hapi i duhur për të shkuar drejt Botërorit Brazil 2014.
“Dy ndeshje, gjashtë pikë. Mision i përmbushur. Mund të kishim shënuar më shumë gola, por të jeni të sigurt që Azerbajxhani ishte një skuadër e komplikuar. Sidoqoftë, rezultati përfundimtar në të dy ndeshjet ishte shumë pozitiv dhe tani ka ardhur koha që të kthehem në klub dhe të mendoj përsëri vetëm për klubin tim”, shkruhej në mesazhin e Krisitiano Ronaldos.
Tani fjala i kalon Real Madrid, që duket se po bëhet gati t’i plotësojë lojtarit kërkesat e tij, në mënyrë që të mos përballet më me situata të dyshimta në të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 September 2012 19:50