Filipo Inzagi mund të jetë trajneri i Milanit në një të ardhme jo shumë të largët. Ky duket se është plani i drejtuesve të klubit kuqezi, presidentit Berluskoni dhe administratorit Galiani.
Të dy kanë preferuar gjithmonë që në drejtim të skuadrës të kenë ish-futbollistë të kuqezinjve, rregull i cili është prishur kur emëruan Alegrin trajner të kësaj skuadre. Ky i fundit ka edhe dy vite kontratë me kuqezinjtë, pikërisht aq sa ka nënshkruar edhe Inzagi për të drejtuar në akademinë e klubit.
Pas provës së parë me skuadrën e 13 vjeçarëve, fitoren 5-1 ndaj Bolonjas, drejtuesit e Milanit kanë mbetur shumë të kënaqur me zgjedhjen që kanë bërë, pasi ish-sulmuesi ka treguar menjëherë se ka aftësi mjaft të mira drejtuese.
Në këtë mënyrë, edhe kuqezinjtë duan të kontribuojnë me uljen e moshës mesatare të trajnerëve që janë në qarkullim në Itali, pasi Inzagi i shtohet një liste ku bëjnë pjesë edhe Stramaçioni (Inter), Montela (Roma, Katania e Fiorentina në 19 muaj) e Manxhia (Italia U-21 pas eksperiencës te Palermo).
Të gjithë këta trajnerë të rinj në moshë pritet të jenë e ardhmja e futbollit italian e për këtë arsye, edhe kuqezinjtë duan që të kenë sa më parë një përfaqësues të tyre në këtë brez të ri, me “SuperPipo” që përfaqëson në mënyrë perfekte atë që përfaqëson Milan dhe historinë e tij në dekadën e fundit. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 11 September 2012 15:01