Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, ka zbuluar se ai është më i shqetësuar për kualifikimin në Botërorin 2014 sesa për mënyrën se si do të paraqitet skuadra e tij në fushën e lojës. Të kaltrit merituan mjaft vlerësime për paraqitjen e tyre në Euro 2012, para se të mundeshin nga Spanja në finale, pasi arritën të dhuronin një futboll mjaft cilësor. Por Prandeli shpreson që skuadra e tij të ketë nxjerrë mësime nga eksperienca e kësaj vere.
“Fjala kryesore është “kualifikimi”. Vetëm më pas ne duhet të shqetësohemi rreth cilësisë së lojës. Evropiani na dha një eksperiencë të rëndësishme. Ka pak shqetësim, pasi të gjithë presin nga ne vetëm fitore. Megjithatë, ne japim maksimumin tonë kur jemi të frikësuar”, tregoi trajneri i Italisë.
Të kaltrit e fillojnë fushatën e tyre kualifikuese përballë Bullgarisë në takimin që luhet në Sofje ndërsa trajneri italian beson se rreziku më i madh për skuadrën e tij është sulmuesi Ivelin Popov i Kuban Krasnodar.
“Të jeni të sigurtë që do të përballemi me një atmosferë mjaft të ashpër në stadium, pasi ne jemi një nga skuadrat që duhet mundur për t’u synuar kualifikimi. Ai që më frikëson më shumë nga Bullgaria është sulmuesi i tyre Popov. Formacioni ynë? Ka ende dyshime për De Rosin, por edhe ai është më shumë po so jo për këtë ndeshje”, deklaroi Prandeli. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 September 2012 09:01