Një penallti e gjuajtur keq nga Maikosuel i Udinezes i kushtoi kësaj skuadre vendin në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, pasi ekipi italian u mund me penallti nga portugezët e Sporting Braga. Dy klubet e mbyllen edhe ndeshjen e dytë në barazim 1-1, ashtu si të parën, ndaj skuadrat iu drejtuan penalltive.
Kur gjuajtjet ishin 2-2, Maikosuel u mundua të shënonte me një “Panenka”, por portieri 30 vjeçar Beto kuptoi menjëherë qëllimin e mesfushorit, ndërsa të gjithë lojtarët e tjerë ishin të saktë në gjuajtjet e tyre, duke bërë që Braga të fitonte 5-4 dhe të kualifikohej në fazën në grupe.
Anderlehti ka kaluar me vështirësi në fazën tjetër të turneut, duke fituar 2-0 në Belgjike dhe 3-2 në rezultatin e përgjithshëm ndaj qipriotëve të AEL Limasol. Mbokani qetësoi skuadrën e tij duke i dhënë avantazhin skuadrës belge, ndërsa Jakovenko shënoi të dytin, duke bërë që Anderleht të kalonte turin dhe pse ishte mundur 2-1 në sfidën e parë.
Malaga ka vazhduar “mrekullinë” e saj të vogël, kur skuadra e Pelegrinit ka arritur të mbajë në një barazim 0-0 Panathinakos, për të kaluar në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Kjo do të sjellë në arkat e klubit disa të ardhura që do të garantojnë pagesën e rrogave të lojtarëve aktualë derisa të gjendet një blerës i ri për klubin. (LajmeShqip.com)
Rezultatet
ANDERLEHT-AEL Limasol 2-0
Ironi Shmona-BATE BORISOV 1-1
NK Maribor-DINAMO ZAGREB 0-1
Panathinaikos-MALAGA 0-0
Udineze-BRAGA 1-1 (4-5p)
Sot
Sëlltik-Helsingborg
CFR Kluj-Bazel
Dinamo Kiev-Mynshengladbah
Fenerbahçe-Spartak Moskë
Lilë-FC Kopenhagen
Wednesday, 29 August 2012 08:01