Presidenti i skuadrës braziliane të Internacional, Luciano Davi, ka deklaruar se sulmuesi Leandro Damiao nuk do të bashkohet me Totenhem gjatë merkatos së verës.
Skuadra angleze ofroi 18 milion paund për sulmuesin që shkëlqeu në Lojërat Olimpike por kjo ofertë u refuzua menjëherë nga brazilianët, të cilët bënë të qartë se duan të mbajnë sulmuesin të paktën deri në fundin e këtij sezoni.
“Objektivi ynë është që këtë vit Leandro Damiao të mos largohet nga skuadra”, tha ai për “Globoesporte”. “Ai është një lojtar i Internacional deri në dhjetor. Oferta e tyre nuk ishte e rëndësishme ndaj ne nuk jemi të interesuar ta shesim atë”.
“Totenhem erdhi te ne, por oferta e tyre nuk përputhej me vlerësimin tonë për futbollistin. Leandro Damiao është sulmuesi kryesor i ekipit kombëtar dhe ne e vlerësojmë shumë një gjë të tillë”, tregoi ai duke bërë të qartë se 18 milion paund ishin shumë pak për lojtarin në fjalë.
Me sa duket, Totenhem duhet të mendojë për një ofertë të përmirësuar për lojtarin, ose për të hequr dorë nga ai të paktën deri në janar. Trajneri Vijas Boas ka bërë të qartë se i intereson më shumë përforcimi në repartin e mesfushës, ku i ka vënë syrin brazilianit të Shakhtar Donetsk, Uillian. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 28 August 2012 16:01