Ndërsa kanë mbetur vetëm detaje të vogla për të përcaktuar transferimin përfundimtar të Antonio Kasanos te Inter dhe Xhampaolo Pacinit te Milan, zikaltërit janë ata që duken më të kënaqur për këtë marrëveshje. Vetë kapiteni Havier Zaneti pret me padurim të luajë përkrah lojtarit të përfaqësueses italiane.
“Kasanon e njohim mirë, njohim klasin e tij, është një djalë argëtues dhe shpresojmë që bashkë me të, Interi të luftojë për objektiva të rëndësishëm. Ai është një kampion i madh, vjen për të përforcuar një grup që ka shumë dëshirë për t’u kthyer protagonist”.
“Këtu do të gjejë një grup që do ta ndihmojë në mënyrë perfekte dhe së bashku do të mundohemi të bëjmë të mundur që Interi të kthehet të argëtojë tifozerinë e tij”, premton Zaneti.
Sot është dita e vizitave mjekësore dhe vetëm më pas, futbollistit do të hedhë firmën në kontratën e tij dyvjeçare, nga e cila do të përfitojë 3 milion euro në sezon dhe bonuse të tjera që kanë lidhje me paraqitjet dhe numrin e golave. E njëjta gjë mund të thuhet nga ana tjetër edhe për Pacinin, i cili gjatë gjithë ditës së sotme po kryen vizitat e detyrueshme mjekësore te Milan. Për këtë të fundit parashikohet një kontratë trevjeçare, por nuk janë bërë të ditura ende kushtet ekonomike (LajmeShqip.com)
Tuesday, 21 August 2012 17:42