Në periudhën kur shumë nga klubet e njohura po mundohen të kursejnë dhe Barcelona nuk bën një nga 10 blerjet më të shtrenjta të sezonit, bën bujë lajmi se drejtuesit e skuadrës katalanase po mendojnë seriozisht që t’i dyfishojnë rrogën Lionel Mesit, duke i ofruar një kontratë të përjetshme.
Plani për të blinduar Mesin niset nga mendimi i përgjithshëm se rroga 11 milionë euro neto në vit plus bonuse, e vendosur në kontratën e vitit 2009, mund të mos jetë më në linjat e vlerave të merkatos aktuale dhe si rrjedhojë, ndonjë sheik mund t’ia mbushë mendjen lojtarit që të largohet nga kjo skuadër. Klauzola e largimit në kontratën ekzistuese është monstruoze, 250 milionë euro, ndërsa dëshira e Mesit është të qëndrojë te katalanasit.
Por numri 1 në botë duhet të ketë një rrogë të përshtatshme për numrin 1. Nga kjo ka lindur ideja për të propozuar rinovimin e kontratës deri në vitin 2018, nga e cila lojtari do të përfitojë 20 milion euro neto në vit, me projektin që shkon deri në vitin 2020 dhe që përfshin dyfishim edhe të klauzolës së largimit në kontratën e tij.
Sforcoja ekonomike e Barcelonës është e jashtëzakonshme, pasi ky klub që tani paguan 217 milionë euro në vit për rrogat e futbollistëve. Sipas sistemit të taksave në Spanjë, ky klub do të paguajë 31.2 milionë euro në vit vetëm për Mesin, që në total do të thotë 187 milionë euro deri në vitin 2018. Vendimi është marrë pasi klubi ka arritur të ulë përsëri borxhin ndaj bankave, duke e çuar tashmë në “vetëm” 320 milionë euro dhe është vendosur që për momentin, sigurimi i qëndrimit të argjentinasit në “Kamp Nou” është më i rëndësishëm se vetë rikonstruksioni i planifikuar i stadiumit në fjalë. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 August 2012 14:39