Trajneri i Holandës, Luis Van Gal, e ka cilësuar paraqitjen e skuadrës së tij në humbjen 4-2 përballë Belgjikës si “të ngathët”.
Golat e shënuar nga Kristan Benteke, Dries Mertens, Romelu Lukaku dhe Jan Vertonghen bënë që trajneri i ri i holandezëve ta fillojë me humbje karrierën e tij në stolin e kësaj përfaqësueseje, duke u ankuar për mungesën e organizmit të skuadrës.
“Ne humbëm për shkak të gabimeve personale. Pjesa e parë nuk ishte e mirë pasi ishim të ngathtë kur kishim topin. Në pushim të ndeshjes, u thashë lojtarëve të mi që De Jong duhej të qëndronte larg kur ne ishim në zotërim të topit”, tha ai duke e veçuar mesfushorin si një prej lojtarëve problematike në këtë repart falë pasaktësisë në pasime.
“Ne e filluam më mirë pjesën e dytë por për shkak të gabimeve personale e falëm këtë ndeshje. Sidomos goli i dytë, ishte një gabim i pafalshëm i De Jong. Por ne mund të mësojmë shumë nga kjo ndeshje. Kishim shumë lojtarë të rinj dhe Belgjika kishte një ekip të mirë, ata kishin më shumë eksperiencë se ne”, ishte justifikimi i Van Gal.
Edhe mesfushori Uesli Shnajder ka ndjekur të njëjtin qëndrim të trajnerit, duke treguar se cilët lojtarë mund të shiheshin si përgjegjës për këtë disfatë.
“Nuk luajtëm mirë në pjesën e parë. Pjesa e dytë ishte më e mirë por e humbëm ndeshjen nga dy gabime personale të De Jong dhe Stekelenburg. Mendoj se me një skuadër të re në moshë dhe një sistem të ri 4-3-3, mund të jemi pjesërisht të kënaqur”, tha futbollisti që në këtë sfidë mbajti shiritin e kapitenit. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 August 2012 13:20