Trajneri i Argjentinës, Alehandro Sabela, ka çuditur të gjithë duke deklaruar se për të marrë maksimumin nga Mesi, askush nuk duhet të flasë me të kur është i grumbulluar në kombëtare.
I pyetur para sfidës me Gjermaninë nëse Mesi ka ndryshuar tani që është bërë kapiten, Sabela nuk ka ngurruar të tregojë “trajtimin e veçantë” që i bëhet yllit të kombëtares që ai drejton.
“Aspak, e shoh atë të qetë dhe të lumtur. Ai ka nevojë të lihet i vetëm dhe t’i flitet sa më pak që të jetë e mundur, pasi nëse ai është i lumtur dhe i kënaqur, atëherë kjo është më e mira për të gjithë”, ka treguar trajneri i përfaqësueses argjentinase.
Por nga ana tjetër, gjermanët do të mundohen në të gjitha mënyrat të prishin këtë përqendrim të yllit të Argjentinës për të arritur një tjetër sukses ndaj skuadrës që për herë të fundit e kanë mundu 4-0 në Botërorin 2010. Mesfushori Marko Reus, pret me padurim që të luajë përkrah argjentinasit dhe të mundohet ta ndalë atë.
“Të luash kundër Argjentinës është një gjë e bukur dhe do të mundohem të bind trajnerin për cilësitë e mia. Do të jetë hera e parë që jam kundërshtar me Lionel Mesin, i cili padyshim që është një futbollist i klasit botëror. Ai duket sikur e ka të lehtë të bëjë gjithçka, por e di që ka punuar shumë për të arritur në këtë nivel”.
“Mesi është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe është një kënaqësi ta shohësh në fushën e lojës. Por ne e kemi parë dhe e kemi ndaluar edhe më parë, ndaj do të kërkojmë të bëjmë të njëjtën gjë për të marrë fitoren kundër Argjentinës”, tha futbollisti që pritet të luajë si titullar në takimin e sotëm. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 August 2012 11:42