Serxho Aguero mendon se kampionët e Mançester Sitit do të dominojnë përsëri para kundërshtarëve të tyre kryesore të Mançester Junajtid për të marrë trofetë e rëndësishëm kombëtarë në Angli.
Goli në minutat shtesë i argjentinasit në ndeshjen e fundit të sezonit solli fitoren e titullit kampion para skuadrës së Mançester Junajtid në mënyrë dramatike. Uejn Runi, sulmuesi kryesor i ekipit kundërshtar, kishte paralajmëruar se me fillimin e sezonit, Mançester Siti do ta kishte shumë më të vështirë të përballonte konkurrencën. Por Aguero, i cili shënoi 30 gola në sezonin e tij të parë me kampionët e Anglisë, mendon se që me fitoren e Superkupës, ekipi dha sinjalet që do të jetë e vështirë për këdo që t’i ndalë.
“I kemi bërë një fillim të mirë sezonit.. E kemi filluar sezonin një hap para të tjerëve dhe shpresoj që të vazhdojë në këtë mënyrë. Kemi një skuadër fenomenale dhe po mundohemi që të mësojmë të luajmë më shumë me njëri-tjetrin”.
“Do të mundohemi që të bëjmë një fillim sezoni si ai i vitit të kaluar. Nuk them se do të jetë e lehtë, por kemi një skuadër në gjendje për ta bërë një gjë të tillë”, tha lojtari që me golin e shënuar ndaj QPR në minutën e 93-të, ka hyrë në historinë e skuadrës së tij pasi siguroi këtë titull kampion të pabesueshëm. “Tani ajo gjë ka kaluar, unë thjesht shpresoj që Siti të fitojë më shumë në vazhdim”, tha argjentinasi. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 15 August 2012 09:20